Si ti lëvrojmë vreshtat

Tashmë po përfundon sezoni i vjeljes së rrushit dhe vreshtarët duhet të përgatiten për lëvrimin vjeshtor të vreshtave. Përmes portalit “Ferma Ime”, ekspertët i këshillojnë vreshtarët se si duhet lëvruar vreshtat, para se bora të zbardhë tokën.

Punimet e vjeshtës kanë rol të rëndësishëm në zhvillimin e hardhisë së rrushit. Menjëherë pas vjeljes punën kryesore që vreshtarët duhet ta bëjnë është lëvrimi, i cili duhet të bëhet në kushte të përshtatshme klimatike, gjegjësisht kur nuk ka shi në tokë.

Eksperti i kësaj lëmie, Shyqeri Salihu, thekson se lëvrimi i vreshtave duhet të bëhet në një thellësi që përfshinë perimetrat nga 25 deri në 30 centimetra. “Vreshtarët tanë duhet të kenë parasysh se lëvrimi duhet të bëhet gjithmonë tërthor pjerrësisë së kodrës, në këtë rast po flas për vreshtat që janë të ndërtuara nëpër bregore. Dihet se bregoret janë vend shumë i përshtatshëm për kultivimin e hardhisë prandaj lëvrimi duhet të bëhet në trajtë kurrizesh sipas horizontaleve”, thekson Salihu.

Salihu shpjegon më tutje se si duhet të lihet dheu, të mbulohet hardhia me të apo jo. Ai tregon se është shumë e rëndësishme të dihet edhe zona se ku është e ndërtuar vreshta meqë temperaturat luajnë rol të rëndësishëm. “Ne duhet të dimë së pari se në çfarë zona i kemi të shtrirë vreshtat. P.sh., në zonat ku temperaturat janë më të larta vreshtat mund të lëvrohen në atë mënyrë që dheu të mos i mbulojë rrënjtë e hardhisë. Por, nëse temperaturat shkojnë nën minus dhe në ato zona kemi ngrica, atëherë lëvrimi duhet të bëhet në atë mënyrë që kanali të krijohet në mes të rendit, ndërsa dheu i mbulon rrënjtë e hardhisë dhe i mbanë ngrohtë gjatë stinës së dimrit dhe si rezultat pengon depërtimin e ngricave në cung të hardhisë”.

Në anën tjetër, faktor tejet i rëndësishëm është edhe plehërimi i vreshtave gjatë lëvrimit të tyre. Vreshtari Alush Selimaj, thotë se nuk e ka praktikuar edhe shumë plehërimin në vjeshtë. “Gjatë vjeshtës unë e kam lëvruar por nuk e kam plehëruar me pleh artificial. Më shumë plehun e kam praktikuar në fillim të pranverës dhe atë pleh të kafshëve. Por plehun artificial nuk e kam praktikuar shumë në vreshta”, thekson vreshtari Selimaj.

Por, eksperti Shyqeri Salihu thekson se plehërimi i vreshtave në vjeshtë e forcon hardhinë më tepër. Ai thekson se vreshtat që prodhojnë duhet të plehërosen së paku një herë në tre vjet me 400-500 kg/ha plehra organike. “Plehërimi i ndihmon forcimit të hardhisë dhe në pranverë ajo hardhi është shumë më e fortë, meqë ajo absorbon të gjitha elementet që i duhen për ushqim, duke përfshirë azot, hekur, kalcium dhe shumë elemente të tjera. Plehu organik hidhet në vjeshtë në brazda të thella 25-30 cm por duhet të kemi kujdes që ai të hidhet deri në 50 cm larg rendit të hardhive”, sugjeron Salihu vreshtarët.

Ndryshe, sipas ekspertëve plehërimi arrinë efektet më të mëdha nëse ai hidhet kur toka ka lagështi, gjegjësisht në kohë me shi ose nëse ato zona janë nën sistemin e ujitjes. /FermaIme/

Të fundit

Ju rekomandojmë

Mundësi për punë praktike me pagesë për të diplomuarit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë – FBV

Në kuadër të “Professional Placement Program”, zyrtarisht është hapur thirrja për aplikim e grupit të dytë për ...

Prezantohet ngarkuesi i JCB, “Farm Master 435S”

Kompania “JCB Agriculture” sapo ka lansuar vesionin e ri të ngarkuesit të saj me rrita me performansë të lartë për të ...

Mbështetësit

Partnerët