Kultivuesit e luleve, ia shohin hairin festave

Kultivuesit e luleve në gjithë vendin kanë shfrytëzuar festën e 7 dhe 8 Marsit për t’i shitur lulet e tyre, për rritjen e të cilave thonë se duhet shumë mund e punë. Ata kanë treguar se janë ndarë mjaft të kënaqur me shitjet që kanë realizuar gjatë këtyre ditëve, derisa thonë se në vend ka treg për shitjen e luleve, vetëm se nevojitet më shumë përkrahje për kultivimin tyre.

Sylbije Sahiti, nga fshati Babush i komunës së Lipjanit, e cila përveç se merret me kultivimin e shumë kulturave bujqësore, në të njëjtën kohë kultivon edhe lule, veprimtari këto të cilat kishte filluar t’i bëj qysh para katërmbëdhjetë viteve. E, gjatë këtyre tri ditëve të fundit, ajo kishte dalë në Sheshin “Nënë Tereza”, për të shfrytëzuar kohën e festave, për t’i shitur lulet që i kultivon në kopshtin e saj.

“Ashtu si edhe shumë kultivues tjerë të mbarë vendit, edhe unë kam shfrytëzuar festën e 7 dhe 8 Marsit për të shitur lule, dhe jam ndarë mjaft e kënaqur nga shitjet që kam arritur t’i realizoj gjatë këtyre ditëve, ku vetëm për tri ditë kam shitur lule në vlerë prej 1000 euro”, tha Sylbije Sahiti.

Ajo tregon se në një sipërfaqe mjaft të madhe kultivon lloje të ndryshme të luleve.

“Aktualisht kam 8 ari serrë për kultivim të luleve dhe 50 ari hapësirë të hapur për kultivim të pishës dhe drunjve dekorativ”, tha Sahiti.

Ajo thotë se ka shumë nevojë për ndërtimin e një depoje për t’i ruajtur prodhimet e saj, të cilat i kultivon.

Ndërkaq, Fetije Gërguri nga fshati Sllatinë e Vogël e komunës së Fushë Kosovës, tash e 15 vjet merret me prodhimin e fidanëve dhe luleve të ndryshme. Ajo tregon se është e kënaqur me të ardhurat që po siguron nga shitja e luleve.

“Po veprimtarinë e prodhimit të fidanëve e kemi filluar para 15 vite, kurse me prodhimin e luleve kemi filluar para 7 vite dhe jam e kënaqur me ketë që po arrijmë, pasi që me lule po krijojmë edhe të ardhura për familjen”, tha fermerja Gërguri.

Aktualisht ajo tregon se prodhon 15 lloje të luleve me llojllojshmëri ngjyrash. Ndërkaq, kjo fermere gjatë këtyre ditëve të festës, lulet e saj i kishte shitur në shtëpi, ku kishte pasur mjaft kërkesa për blerjen e tyre. “ Për këto ditë festë nuk kemi dalë në treg për t’i shitur lulet, pasi që kemi klientë tanë të cilët lulet i blejnë në shtëpi, këtu ku e kam edhe hapësirën në të cilën i kultivoj lulet”, thotë Fetije Gërguri për portalin Ferma Ime.

Për prodhimin fidanëve dhe luleve të ndryshme tregon se janë të angazhuar 11 anëtarët e familjes së saj, derisa në të ardhmen mendon ta zgjerojë ketë veprimtari.

“Nga shitjet që i realizojmë jemi mjaft të kënaqur dhe kjo ka bërë që ne të bëjmë plane zgjerim të veprimtarisë, vetëm se për këtë na duhet edhe një përkrahje më e madhe”, tha ajo duke treguar se së fundmi janë përkrahur së fundi nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit Rural me një serrë prej 20 ari.

Ndryshe, sipas Zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkrahja për kultivuesit e fidanëve do të vazhdojë edhe gjatë këtij vit. /FermaIme/ 

Të fundit

Ju rekomandojmë

Mundësi për punë praktike me pagesë për të diplomuarit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë – FBV

Në kuadër të “Professional Placement Program”, zyrtarisht është hapur thirrja për aplikim e grupit të dytë për ...

Prezantohet ngarkuesi i JCB, “Farm Master 435S”

Kompania “JCB Agriculture” sapo ka lansuar vesionin e ri të ngarkuesit të saj me rrita me performansë të lartë për të ...

Mbështetësit

Partnerët