Rriten sipërfaqet e dredhëzës

Pemët e imta kanë filluar të kultivohen në masë të madhe edhe në Kosovë. Njëra ndër to është dredhëza, ku sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë bujqësore po shtohen nga viti në vit. Kultivuesit e saj tregojnë se kjo veprimtari bujqësore është mjaft e leverdishme dhe se kërkesa e tregut vendor për këto fruta është e madhe. E për të rritur numrin e kultivuesve, e bashkë me këtë edhe sipërfaqet e mbjella me dredhëz, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), viteve të fundit ka filluar mbështetjen e këtyre fermerëve përmes granteve investive.

Kultivuesi i dredhëzës, Selim Balaj, nga fshati Llaushë i Skenderajt, tregon se me kultivimin e dredhëzës kishte filluar të merrej qysh në vitin 2007 dhe këtë veprimtari thotë se nga viti në vit ka arritur ta zgjerojë në masë të madhe. “Më 2007 kam filluar me vetëm 10 ari, por duke parë përfitimet nga kultivimi i dredhëzës, kam filluar edhe zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella më këtë kulturë. Po ashtu gjithë tokën që e posedoj, e kam të mbjell me dredhëza, ku sipërfaqja e tërësishme me këtë kulturë tashmë arrin në 55 ari”, tregon Balaj për “Ferma Ime”. Ai thotë se nuk do të ndahet asnjëherë nga kjo prodhimtari, por planifikon zgjerimin e këtyre sipërfaqeve.

Ndonëse ka plane ambicioze, për fermerin Balaj mbetet problem edhe mungesa e tokës. Ai thotë se ka nevojë për mbështetjen e institucioneve vendore apo ndërkombëtare për zgjerimin e prodhimtarisë. “Plane për rritje të sipërfaqeve me dredhëz kam, por këtë mund ta bëjë vetëm nëse marr tokë me qera dhe nëse marr edhe mbështetje”, thotë kultivuesi i dredhëzës, Selim Balaj.

Planet për rritjen e prodhimtarisë së dredhës, Balaj i mbështet në faktin se nuk e ka problem me shitjen e prodhimit. Ai thotë se tregu vendor ka kërkesë të madhe për dredhëzën. Kryesisht, Balaj shitjen e prodhimeve të tij e bën në tregjet e rajonit të Drenicës, si dhe nëpër disa qendra tregtare të Skënderajt.

Në anën tjetër, në programin për bujqësi dhe zhvillim rural për vitin 2013, Ministria e Bujqësisë ka hartuar edhe një nën-masë mbështetëse për bimët e imta.

Zëdhënësi i kësaj ministri, Adil Behramaj, tregon se viteve të fundit e kanë rritur përkrahjen financiare për kultivuesit e dredhëzës, për shtimin e sipërfaqeve të reja, dhe jo vetëm për këtë kulturë, por edhe për kulturat tjera të pemëve të imëta. “Në kuadër të programit për bujqësi dhe zhvillim rural, do të mbështesim edhe ngritjen e sipërfaqeve të reja me dredhëz, mjedër dhe manaferrë me një shumë prej 300 mijë euro”, thotë Behramaj, duke shtuar se pemëtarinë sivjet do ta përkrahin me gjithsej 1.2 milion euro.

Vitin e kaluar, Ministria e Bujqësisë i ka mbështetur 53 kultivues të dredhëzës me mbi 100 mijë euro për ndërtimin e plantazheve të reja me këtë kulturë bujqësore. Këtë vit, sipas zëdhënësit Behramaj, për ngritjen e pemishtes me dredhëz, mjedër apo manaferrë, mbështeten projektet me sipërfaqe prej 1 ari deri në 2 hektarë. Investimi maksimal i pranueshëm është 150 euro për ari, përkatësisht 15 mijë euro për hektar, dhe deri në këtë vlerë të investimeve, Ministria i përkrah fermerët në masën prej 65%, që i bie: për 1 ari - 97.5 euro; për një ha - 9 mijë e 750 euro apo shuma maksimale për 2 ha - 19 mijë e 500 euro.
Aktualisht, sipërfaqet e mbjella me dredhëz janë gjithsej 163 hektarë, ndërsa rendimenti mesatar, sillet nga 7-10 ton për hektarë. Në vitin e kaluar sipërfaqe të mbjella me dredhëz kanë qenë gjithsej 153 hektarë, kurse në vitin 2011 kanë qenë 138 hektarë. Kjo kulturë bujqësore kultivohet kryesisht në regjionin e Dukagjinit dhe atë të Anamoravës, mirëpo viteve të fundit kjo është duke u kultivuar edhe në regjionin e Mitrovicës./Fermaime.com

 

ProCredit Bank

Të fundit

Ju rekomandojmë

Po rritet numri i agrobizneseve

Bujqësia, që dikur ishte vetëm një veprimtari tradicionale, tashmë po del të jetë njëra prej veprimtarive komerciale më n...

Promovohet kultura bujqësore e asparagut‏

Nesër më 18 prill, ora 10:00, në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë, ministri i MBPZhR-së, Blerand Stavileci, do të ...

Mbështetësit

Partnerët