Përgjigje shtesë për Skylfer Krasniqi

Ne kerkesen e parashtruar nga Skylfer Krasniqi lidhur me sigurimin e informacioneve rreth races se dhive Alpina.


Kerkesa: a mundeni ndoni kshill per dhi alpine?


Pergjigje:


Kjo racë rrjedh nga Alpet franceze prej nga e ka marr edhe emrin. Është e shpërndarë në shumë vende të botës për shkak te aftësive të kësaj race për tu adaptuar.


Numër i madh i ekspertëve kanë punuar në përmirësimin dhe seleksionimin e kësaj race prej më shumë se 65 vite.


Karakteristikat e kësaj race


Dhia Alpine mund të haset me disa ngjyra dhe shenja të ndryshme, por ngjyra që dominon më së shumti është e kuqe me një vijë të zezë nga koka deri në bisht, shpesh mund të jete me fytyrë të zezë, këmbët e zeza. Dhia alpine mund të jetë me brirë por edhe pa brirë.

Shkalla e maturimit te dhitë Alpine (arritja e pjekurisë seksuale) është rreth 5 muaj pas lindjes. Kur një ftujë arrin këtë moshë është e gatshme për përçitje dhe shtatzënia te dhitë zgjat rreth 150 ditë, ku në moshën 10 -11 muajshe ftuja mund të lind dy keca të shëndetshëm. Pra te kjo racë plleshmëria është 200 %, që e bënë këtë racë edhe më të rëndësishme.

Dhia alpine është dhi e madhe, ku femrat kanë lartësi të xhidavisë prej 70-80 cm, kurse cjeptë 90-100 cm dhe gjatësi të trupit 80-90 cm te femrat, kurse rreth 100 cm te cjeptë. Paraqet dhinë më të përhapur në Francë, e cila merr pjesë me 70% prej numrit të gjithmbarshëm të dhive. Ka prodhimtari të qumështit prej 600-800 kg, ndërsa tek ato rekorde arrin mbi 900 kg qumësht gjatë laktacionit. Qumështi mund të përpunohet në gjalpë, djathë, sapun, akullore ose çdo produkt tjetër të qumështit të bëra zakonisht nga qumështi i lopës.

Cilësia e qumështit te dhia alpine

Dhia Alpine është e njohur për prodhimi të qumështit me cilësi të lartë dhe me përbërje të ulët të yndyrës. Sipas British Medical Journal, qumështi i dhisë Alpine ka përmbajtjen më të ulët të yndyrës nga të gjitha kafshët që prodhojnë qumësht (3.1 g / 250ml), duke përfshirë edhe qumështin e lopëve. Ka vlera më të lartë të laktozës se sa qumështi i lopëve, por me vlera më të ulëta të proteinave. Qumështi i dhisë alpine ka 2.3g proteina për 250ml qumësht, ndërsa qumështi i lopës ka 3.4 g/250 ml.

Krahasuar me qumështin e dhisë së sanës, vlera e qumështit të dhisë alpine është më e lartë në të gjitha aspektet ushqyese, me përjashtim të përmbajtjes së yndyrës, duke e bërë atë një zgjedhje shumë të shëndetshme sidomos te njerëzit që kanë probleme me yndyrë dhe peshë.


Me qellim që të arrihet prodhimtari më e lartë e qumështit, është konstatuar nga ekspertët që duhet pasur parasysh katër kërkesa kryesore. Dhia e qumështit alpine duhet të strehohen në kushte të veçanta në mënyrë që prodhimi i qumështit mos të ndikohet nga ndryshimet e faktorëve të jashtëm. Ndryshimet në faktorë të jashtëm mund të shkaktojnë një rënie në prodhimin e qumështit për shkak të presionit që ndikon në dhi për t'iu përshtatur këtyre ndryshimeve. Katër faktorët për prodhim optimal janë; ventilim adekuat, shtretër apo shtroja e thatë, ushqim i shëndetshëm dhe racion i balancuar mirë dhe furnizimi me ujë, nëse ushqehen në kullosë duhet të përshkojnë rrugë sa më të shkurtë dhe mbrojtje nga shqetësimet e ndryshme dhe sëmundjet.

Kjo dhi ka arritur rezultate të mira edhe në vendin tonë si ne adaptim, plleshmëri dhe prodhimtari të qumështit.

Nga: Ferma Ime (Prishtine)
Telefon: tel
E-mail: info@fermaime.com