Përgjigje për Alban Arifi

Ne pyetjet e parashtruara nga Alban Arifi lidhur me kultivimin e Kepurdhave Shampinjon.


Pyetjet: Te nderuar kerkoj nga Ana e juaj qe te me informoni ne lidhje me kultivimin e kepurdhave champion. Pyetjet e mija jane si ne vijim: 1. Si pergaditet materiali per kultivimin e ketij lloji te kepurdhave. 2. A ka material te gatshem per kultivimin e ketij lloji te kepurdhave. 3. A kultivohen ky lloj I kepurdhave ne thase. 4. Ne qofte se prodhohen ne thase sa here ne vite duhen nderruar thaste. 5. Sa kilogram kepurdha peraferisht mund te nxirren nga nje thes apo ne nje meter katror. Ju falenderoj perzemersisht per mete faqe dhe pres nje pergjigje nga Ana e juaj dhe ndonje kontakt te drejtperdrejt me ndonje ekspert te kultivimit te kepurdhave champion. Me respect Alban Arifi


Pergjigje:


Kultivimi i kërpudhave shampinion


Gjatë punës së përditshme dhe kontrollit të kërpudhave, posaçërisht duhet pasur kujdes në gjendjen shëndetësore të shampinionëve. Nëse vërehen deformime, përkatësisht dëmtime të bazës së prodhimit, , duhet menjëherë që kërpudhat të largohen nga objekti dhe vendi i tillë duhet të dezinfektohet.

Rritja (inkubacioni)


Kur në vendin ku kultivohen kërpudhat futet baza e mbjellë me farëra kërpudhash (në thasë me dimensione 60 – 80 x 60 x 35 cm), ndërmerren masa për rritjen e tyre. Vendi ku kultivohen kërpudhat duhet të ketë lagështi prej 90 -95%. Nëse instrumentet tregojnë lagështirë më të vogël, duhet që deficiti sa më parë të kompensohet. Kjo mund të arrihet me anën e spërkatësit të ujit dhe me lagien e herë pas hershme të dyshemesë së lokaleve.


Nëse lagështia është me e lartë se 95%, që rrallë ndodhë, lagështia mund të zvogëlohet duke ajrosur hapësirën ku kultivohen kërpudhat. Lagështia e substraktit (bazës ushqyese) duhet mbajtur në 68 – 70 % gjatë tërë kohës se inkubacionit. Nëse vërehet se sipërfaqja e bazës ushqyese ka filluar të teret, këtë shtresë duhet lagur. Këtë duhet bërë në mënyrë shumë të kujdesshme. Kurrsesi me vrushkull të fuqishëm të ujit, por me anën e spërkatësit dhe në mënyrë të mjegullës.


Numri më i madh i prodhuesve mendon se shtresa sipërfaqësore e bazës ushqyese mund të mbrohet nga humbja e lagështisë nëse mbulohet me fletë të lagura të gazetave, të cilat mbahen prej 12 deri në 16 ditë deri te vendosja e mbulesës, duke i lagur herë pas herë. Për mbulimin e bazës kurrsesi nuk duhet të përdoren foli plastike. Temperatura në vendet ku kultivohen kërpudhat në kohën kur rritet substrakti ushqyes miceli duhet të jetë 35 gardë C.


Oscilimi i temperaturës më lart ose më poshtë ngadalëson rritjen e micelit. Lokalin duhet ajrosur vazhdimisht, sepse në procesin e ndarjes së supstratit, lirohet sasi e madhe e dioksidit të karbonit, cili në koncentrimin e rritur deri në 0,5%, mund të shkaktojë dëme në rritjen e micelit.


Për të luftuar miza të ndryshme, duhet ndërmarrë masa parandaluese dy herë në javë gjatë periudhës së verës. Kur supstrati ushqyes rritet , micelin duhet mbuluar me një shtresë minerale organike 3 deri në 4 cm, në mënyrë që nga miceli (bishti i kërpudhës) iniciohet formimi i kërpudhave shampinjon. Për mbulesë mund të përdoret dheu ku i është shtuar karbonati i kalciumit me të cilin arrihet vlera pH 7,8 -8,0. Kjo mbulesë ka depërtueshmëri të lartë dhe kapacitet të kartë ajrues. Duhet dezinfektuar rregullisht me mjete kimike.


Megjithatë, për mbulesë më së shpeshti përdoret turba (lloj dheu), lymi i lumit dhe karbonati i kalciumit. Kështu, për shembull, përbërja mesatare e mbulesës të cilin e bejne prodhuesit në Holandë, të njohur për rendimente të larta, përbëhet prej 50% turbë e zezë, 30% turbë e bardhë dhe 20% lym lumi. Kësaj i shtohen 12 kg karbonat kalciumi ose 18 kg dhe në 1 m3 përzierje organike dhe kështu vlera pH arrin në 7,5 deri në 7,8%.


Prodhuesit e shampinonëve bëjnë dezinfektimin e mbulesës në mënyrë kimike. Masa e mbulesës përzihet mirë me mjetin për dezinfektim (Basamid, Vapam 2-3 kg/në një ton) dhe mbulohet me folje. Pas një deri në dy ditë folja nga plastika hapet, gradualisht heqet dhe shtresa e mbulesës shkapërderdhet (prashitet) dhe pastaj mund të shfrytëzohet. Kur micelet e shampinioneve rriten, bazën e miceleve zakonisht pas 14 deri 20 ditësh pas mbjelljes duhet mbuluar me masën e përgatitur të mbulesës. Para vendosjes të mbulesës nevojitet që të mënjanohen gazetat e lagura nëse janë vendosur, linjën e epërme të thesit duhet rregulluar në atë mënyrë që të formohet një gropë prej 3 deri 4 cm në të cilën vendoset masa e mbulesës.


Shtresën e mbulesës nuk duhet ngjeshur por vetëm rrafshuar duke u kujdesur që trashësia duhet të jetë e njëjtë në tërë sipërfaqen. Pas vendosjes së mbulesës, edhe një herë bëhet dezinfektimi me tretjen e formalinit. Tretja përgatitet në atë mënyrë që merren 2 litra 40% formaldehida dhe përzihet me 2 litra ujë dhe përzihet mirë. Kjo sasi është e mjaftueshme për një metër kub mbulesë. Trajtimi i mbulesës me tretjen e përgatitur duhet të jetë në formë të mjegullës.


Masat kryesore të trajtimit në fazën e rritjes së mbulesës me farat e kërpudhave si dhe gjatë kohës së frytënimit janë: lagështia e volitshme, ngrohtësia dhe ajrosja.


Lagështia e ambientit në zonën e mbulesës duhet të sillet prej 60 -65 %, kurse lagështia e ajrit 90 – 95 5. Mënyra më e mirë që kjo të realizohet që uji i ngrohtë dozohet me ndihmën e spërkatëseve në formë të mjegullës. Nëse pa vendosjes së mbulesës ajo lagët sipas rregullit, atëherë ujitet disa ditë. Pas kësaj, në dhjetë ditët e ardhshme, vetëm pak spërkatet dhe kështu mbahet lagështia e nevojshme dhe kjo vetëm për aq sa është humbur lagështa nga avullimi i ujit (2-3 litra ujë për 1 m2).


Sa herë që vërehet se mbulesa është forcuar dhe ngjeshur dhe se vështirë lëshon ujin, bëhet me kujdes një mihje (me dorë ose ma grabuja të veçanta). Para kësaj, mbulesën është mirë që të spërkatet me tretje të fungicidit dhe insekticidit. Pas dy javësh, pas vendosjes së mbulesës, temperatura mbahet 22 deri 25 gradë C. Gjatë tetë deri dhjetë ditë mecinet e shampinioneve e rrisin mbulesën gati deri te maja (rreth 2 mm nën sipërfaqe). Kjo vërehet lehtë kur paraqitet shkëlqimi blu në të bardhë. Atëherë temperaturën duhet zbritur në 5 deri 7 gradë C, kurse lagështia e ajrit prej 85 – 90%.


Me rastin e ajrosjes, përkatësisht me rastin e lëvizjeve të sforcuara të ajrit, mundet jo vetëm të zvogëlohet temperatura në objekt, por edhe lagështia, që do të ngadalësojë zhvillimin e fryteve, prandaj duhet pasur kujdes për këtë. Nëse në objekt hyn ajri i thatë, atëherë ajri duhet të kalojë nëpër lecka të lagëta në mënyrë që të fitojë lagështi dhe të evitohen pasoja të pakëndshme. Kur në sipërfaqe të mbulesës paraqiten grumbuj të vegjël të mecenëve (bishtave të kërpudhave), është shenjë se po formohen karporforët ( vendet e mbirjes) e kërpudhave. Kjo shihet me sy në formë pikash të imëta të bardha. Kjo fazë është shumë e ndjeshme prandaj rrymimin e ajrit duhet zvogëluar por edhe ujitja nuk duhet të bëhet.


Pas 8 ditësh vijuese vezoret e kërpudhave arrijnë madhësinë e kokrrës së bizeles dhe pas 4-5 ditësh duhet pritur vjeljen e parë. Në këtë fazë është e nevojshëm të bëhet ujitje intensive ( 2 – 2,5 1/m2), sepse tani kemi një rritje intensive por edhe ajrosja shkakton zvogëlimin e lagështisë së mbulesës, përkatësisht krejt objektit. Brenga e përditshme e punëtorëve në punën e kultivimit të kërpudhave nuk qëndron vetëm në ujitjen e duhur dhe në mbajtjen e lagështisë por edhe për mbajtjen e temperaturës, ajrosje dhe kontroll të rregullt që në objekt mos të hyjnë mizat dhe insekte të tjera.


Për çdo ditë duhet kontrolluar rrjetat që janë vendosur në hyrje dhe në dalje të objektit. Nëse ka dëmtime, këto duhet ndrequr. Gjatë punëve të përditshme, posaçërisht duhet pasur kujdes për gjendjen shëndetësore të shampinioneve. Kërpudhat e deformuara ose të dëmtuara duhet menjëherë të largohen nga objekti dhe vendi ku kanë qenë duhet të dezinfektohet.


Vjelja e shampinionëve


Shapinioni në një objekt kultivimi vilen prej 4 deri 5 herë. Koha midis dy vjeljeve zakonisht është një javë. Koha e vjeljes zgjatë rreth 45 ditë. Në këtë periudhë në objektin ku rriten kërpudhat duhet siguruar kushtet vijuese: Gjatë kohës së vjeljes temperatura e substratit duhet të jetë zakonisht 15 deri 17 gradë C. Nëse temperatura është më e kartë, bishtat e vezoreve mund të zgjaten, kurse nëse temperatura është më e ulët se 15 gradë C, zgjatet koha e rritjes, por cilësia e kërpudhave është me e mirë. Kjo temperaturë konstante, në muajt e verës vështirë mbahet nëse nuk kemi izolim të mirë që temperaturat e larta nga jashtë të depërtojnë në objekt.


Ajrosja


Në periudhën e rritjes së shampinioneve, paraqiten sasi të mëdha CO2, i cli nëse me kohë nuk largohet, mund të shkaktojë bllokadë të plotë në rritjen e kërpudhave. Për të evituar këtë,, ndërrimi i ajrit në objekt bëhet përditë dhe disa herë duke bërë rrymim të lehtë të ajrit. Ka mendime se sasia e ajrit duhet të jetë 60 deri 80 m3 në 1 tonë substrat për 1 orë.

Nga: Ferma Ime (Prishtine)
Telefon: tel
E-mail: info@fermaime.com