Përgjigje për Xhevdet Ibrahimi nga Këshilltari Komunal

Ne pyetjen e parashtruar nga Xhevdet Ibrahimi lidhur me pergatitjen e nje racioni per ushqimin e lopeve qumeshtore?


Pyetja: Ju lutem, a ka mundesi te na tregoni si behet nje racion per ushqimin e lopeve qumeshtore?


Pergjigje:


Të ushqyerit e lopëve

Shkruan:

Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK)

Të ushqyerit e lopëve ka ndikim të madh në profitabilitetin e fermave për prodhimin e qumështit. Për të pasur një prodhimtari optimale të qumështit, racionet duhet të jenë mirë të balancuara. Me sigurimin e sasisë dhe cilësisë se ushqimit lopët qumështore mund të prodhojnë qumësht në bazë të kapacitetit gjenetik që kanë dhe të mbajnë mirë shëndetin e tyre. Racioni duhet të plotësojë kërkesat në energji dhe proteina, për mirëmbajtje, prodhim të qumështit, rritje dhe riprodhim. Një racion komplet duhet të plotësojë kërkesat me sasi adekuate të mineraleve dhe vitaminave.

Lloji i ushqimeve, përbërja e tyre dhe kërkesat ushqyese të lopëve qumështore dallojnë në masë të madhe në vende të ndryshme. Ndikimi i faktorëve të jashtëm si klima kanë ndikim në prodhimin e qumështit dhe shfrytëzimin e potencialit gjenetik të lopëve. Për këtë arsye është shumë e vështirë të jepen rekomandime të përgjithshme dhe të zbatueshme për të gjitha rrethanat.

Prodhimi i qumështit të lopës vazhdon të rritet si rezultat i përmirësimit të ushqimit të lopëve dhe përzgjedhjes gjenetike, kontrollit më të mirë shëndetësor të kafshëve dhe përmirësimit të teknikave të menaxhimit të fermës. Profitabiliteti në fermat qumështore varet shumë nga të ushqyerit e lopëve. Qëllimi kryesor i përgatitjes se racioneve të balancuara mirë kanë të bëjnë me prodhimtarinë optimale të qumështit si në aspektin ekonomik dhe në të njëjtën kohë mbajtjen e shëndetit të mirë të lopës. Një racion i balancuar duhet të përmbushë nevojat për energji dhe proteina lidhur me mirëmbajtjen, prodhimin dhe përbërjen e qumështit, rritjen dhe riprodhimin e kafshëve. Racioni duhet të jetë i balancuar në sasi adekuate të mineraleve dhe vitaminave.

Është esenciale të kemi analiza laboratorike të ushqimeve për të bërë racion optimal, sepse mund të ketë një variacion në përbërjen e lëndëve ushqyese të ushqimeve për lopë.

Racioni duhet të përmbajë ushqime voluminoze për tretje optimale në rumen dhe në përbërjen e qumështit. Sasia e ushqimeve fibroze në racion duhet të jetë së paku një e treta e materies se thatë totale ditore për të parandaluar çrregullimet digjestive. Prandaj, ushqimet e thata sikurse llojet e ndryshme të sanës, barit dhe silazhe se misrit duhet të formojnë bazën e një racioni të mirë. Po ashtu racioni duhet të jetë i shijshëm dhe tërheqës për lopën. Shumica e rasteve të çrregullimeve metabolike ndodhin gjatë mbarsmërisë dhe 6-8 jave pas pjelljes. Kjo është periudhë kur lopa është nën një stres të nivelit të lartë. Niveli i ushqimit dhe përbërja e tij para dhe pas pjelljes është i rëndësisë së lartë për mirëmbajtjen e shëndetit të mirë. Racioni nuk duhet të afektojë shijen e qumështit, sepse qumështi i freskët duhet të jetë pa kundërmime ose aroma të pakëndshme.

Kostoja e të ushqyerit duhet të mbahet e ulet për të arritur profitabilitetin në fermë. Prandaj, maksimizoni përdorimin e ushqimeve të thata kualitative, shfrytëzimin sa me te madhe te kullosave dhe në disa raste drithërat. Përzierje shtesë koncentrati me sasi adekuate të mineraleve dhe vitaminave duhet të shtohen ne racion për të balancuar prodhimin optimal të qumështit me koston më të ulët të mundshme për njësi të proteinave ose energjisë.

Lëndët ushqyese

Për balancimin e racioneve ushqyese së pari duhet të kemi njohuri sa i përket lëndëve ushqyese, përqindjen e tyre, ndarjen e ushqimeve në grupe dhe se si kontribuojnë ato në të ushqyerit e kafshëve.

Uji

Uji është një komponent esencial i racioneve ditore për lopët qumështore pasi që trupi i kafshës përmban rreth 55-60% të peshës së gjallë. Uji është i nevojshëm për mirëmbajtjen dhe nivelin e lëngjeve trupore, tretjen e materieve ushqyese, prodhimin e qumështit. Përveç kësaj marrja e ujit varet nga lënda e thatë e përmbajtjes së ushqimeve nga prodhimi i qumështit dhe kushteve klimatike. Ushqimet foragjere kanë sasi më të madhe të ujit në raport me lëndën e thatë, ndërsa drithërat dhe produktet e tyre përmbajnë relativisht sasi të ulët të ujit. Uji gjithmonë duhet të jetë i freskët dhe ne dispozicion të përhershëm. Në ambientet me temperaturë të lartë dhe lopët me prodhimtari të lartë kërkesat e tyre janë me tepër se 100 litra ujë të freskëta ne ditë. Kualiteti i ujit duhet të jetë i mirë pa ndonjë shije, përmbajtja e kripërave të tretshme në ujë duhet të jetë nën 2000 pjesë e milionit (ppm) për ndryshe do të këtë efekt në shëndet dhe prodhimin e qumështit.

Lënda e thatë (LTH)

Lënda e thatë është lëndë e cila mbetët pasi uji është larguar nga ushqimi. Kërkesat për lëndë të thatë për lopët me prodhimtari të lartë të qumështit është 3-4% masës trupore. Lopët e kanë të rregulluar konsumimin lëndës së thatë dhe ujit në mënyrë të pavarur. Konsumimi i lëndës se thatë varet nga përqindja e lëndës se thatë në racion, prodhimtarisë së qumështit dhe klimës. Lënda e thatë mund të ndahet në materie organike dhe inorganike. Materiet organike përmbajnë lëndët ushqyese si proteina, yndyrat, karbohidratet dhe vitaminat, ndërsa materiet inorganike përmbajnë mikro dhe makro mineralet.

Faktorët të cilët ndikojnë ne konsumimin e lëndës se thatë



Proteinat

Sigurimi i proteinave ne racion është i rëndësishëm për mirëmbajtje dhe prodhimtari normale të organizmit të kafshës. Proteinat e marra në racion duhet gjithmonë të jenë të balancuara ne bazë të kërkesave të lopëve qumështore.

Gjithashtu duhet të bere dallimin e proteinave të degraduara dhe të pa degraduara.

Cili është dallimi dhe rëndësia e këtyre proteinave: Proteinat e degraduar janë proteina të cilat zbërthehen apo treten në rumenin e lopës. Ndërsa sa i përket proteinës së pa degraduar një pjesë e tyre kalojnë rumenin dhe zbërthehen apo treten ne zorrët e holla. Lopët me prodhimtari të lartë të qumështit kanë nevoja substanciale për sigurimin e proteinave të cilat treten në zorrët e holla apo siç quhen proteina të pa degradura.

Lista e ushqimeve me proteina të padegraduara në rumen.



Karbohidratet/energjia

Ushqimet për lopët qumështore gjithmonë duhet të përmbajnë energjinë ne nivelin e duhur. Burime të energjisë janë: të gjitha llojet e drithërave, silazhi i misrit etj. Ne periudhën e laktacionit, mungesa e energjisë shkakton humbje të peshës trupore dhe ulje të prodhimtarisë se qumështit. Mungesa e energjisë po ashtu pengon: rritjen dhe zhvillimin normal të kafshës, pjekjen e qelizave dhe ovulacionin (rritja dhe lirimi i vezëve tek lopët është i dobët apo ndalet) dhe afshi seksual është i vonuar dhe i pa dukshëm.

Efektet e energjisë së tepërt në racion janë zakonisht evidente kur në fermë kemi shumë lopë të trashura se tepërmi. Kjo zakonisht ndodh kur në racion përdorim për një kohë të gjatë vetëm sasi të tepërta të drithërave dhe silazh të misrit. Gjithashtu, lopët trashen së tepërmi kur ne racion kemi mungesë të proteinave, në këtë mënyrë lopët nuk mundin të arrijnë prodhimtarin maksimale të qumështit. Lopët që janë shumë të trasha gjatë pjelljeve janë të prira të kenë lindje të vështira, mbetje të placentës, zhvendosje të abomazusit etj.

Yndyrat

Kanë përmbajtjen me të lartë energjike për njësi matëse. Janë burime kryesore të rezervave energjike për kafshët. Racionet ushqimore duhet të kenë acide yndyrore të pangopura të cilat garantojnë prodhimtari të lartë te qumështit dhe fertilitetit të mirë . Racioni që përmban 50 gram yndyra bimore për kilogram të lëndës se thatë për lopët e sapo pjella dhe 40 gram për kilogram të lëndës se thatë për lopët ne funde të laktacionit zakonisht plotëson këto kërkesa.

Ushqimet voluminoze në përgjithësi kanë pak yndyre, me përjashtim bari i njomë (kullotat e freskëta) të cilat janë burim i rëndësishëm i acideve yndyrore esenciale. Koncentratet e përziera kanë përmbajtje më të madhe të yndyrave, për këtë arsye duhet të kemi kujdes në sasinë e të ushqyerit me koncentrat. Sasia e madhe e koncentratit ne racion mund të rrisë sasinë e acideve yndyrore në rumen dhe si pasojë zvogëlohet fermentimi i celulozës në rumen.

Mineralet

Janë të nevojshme për fuqizimin e skeletit dhe për të gjitha funksionet vitale. Mineralet mund të ndahen në dy grupe makro dhe mikro mineralet. Kërkesat me të mëdha janë për makro minerale si: Natriumi (Na), Klori (Cl), Kalciumi (Ca), Fosfori (P), Kaliumi (K), Magnezi (Mg), Sulfuri (S).

Kërkesat e mineraleve në sasi më të vogël janë për mikro mineralet të cilat përfshijnë: Hekurin (Fe), Bakri (Cu), Kobalti (Co), Mangani (Mn), Zingu (Zn), Jodi (J), Molibdeni (Mo) dhe Seleni (Se). Këto minerale janë esenciale për shëndetin e lopëve. Doza e tepërt e disa mineraleve p.sh. (Cu, Mo dhe Se) mund të kenë efekte toksike apo helmuese për kafshët.

Ekspozimi i lopëve qumështore në ambiente me temperaturë të lartë kërkon më shumë minerale se sa ekspozimi i lopëve në temperatura të ulëta. Lopët me prodhimtari të lartë humbin sasi të konsiderueshme të mineraleve gjatë periudhës se laktacionit, prandaj përzierjet e mineraleve me sasi të konsiderueshme që plotësojnë kërkesat me Na, Cl, Ca, P, Mg dhe sasitë e limituara të Selenit dhe Jodit duhet të jenë në dispozicion për lopët me prodhimtari të lartë të qumështit.

Vitaminat

Janë të tretshme në yndyra ose të tretshme në ujë. Vitaminat të cilat treten në yndyra (A, D, E, K) janë të nevojshme për funksionimin normal të disa indeve specifike tek lopët.

Vitaminat të cilat treten në ujë (B dhe C) veprojnë si përbërës ose si aktivatorë të enzimave në nivel biokimik. Vitaminat në sasi të vogla janë esenciale për shëndetin e përgjithshëm, mirëmbajtjen e strukturës së trupit, prodhimit të qumështit, rritjes dhe riprodhimit . Vitamina A dhe D janë dy vitamina të vetme të cilat nuk mund të prodhohen nga vet kafshët, dhe duhet të plotësohen në racion ushqimor.


 

Nga: Ali Gacafer (Junik)
Telefon: tel
E-mail: aligacaferi@hotmail.com