Pergjigje per Ibrahim Elshani

Ne pyetjen e parashtruar nga Ibrahim Elshani lidhur me djegjen e hamulloreve (sternishtave).


Pyetja: pershendetje, na gjithmon i kemi djeg serrnishtat pas korrjes pse tash po thojn nuk ben a mundeni me na tregu?


Pergjigje:


I nderuar, lidhur me pyetjen tuaj ju rekomandojme te lexoni kete artikull te publikuar me heret ne portalin "Ferma Ime" lidhur me djegjen e hamulloreve (sternishtave).


Djegia e stërnishtave dëmton shumë tokën


Është bërë shprehi e bujqve, të cilët pothuajse çdo vit i djegin hamullorë. Duke menduar se po bëjnë eliminimin në tërësi të barishteve, që bujqit i quajnë “bari i keq”, ata nuk janë të vetëdijshëm për pasojat e mëdha që zjarri i sjellë tokës. E ekspertët thonë se pasojat janë të shumëfishta.


Duke mos ditur për pasojat që mund t`i sjell zjarri tokës, Pajazit Halilaj, një bujk rreth 70 vjeçar, kishte vendosur t`ia vejë zjarrin arës që vetëm pak ditë më parë e kishte korrur. Ndonëse ara e tij ndodhej në mes te një toke gurinë dhe nuk paraqiste rrezik të përgjithshëm, Halilaj i kishte vënë zjarrin duke menduar se po i digjte barërat e këqija që kanë mbetur pas korrjes së grurit. Në kohën kur ekipi i portalit “Ferma Ime” rastisi në këtë bujk dhe e pyeti për pasojat që shkakton zjarri, ai u shpreh se zjarri mund t`i bëjë mirë tokës e jo dëm. “Prej se e mbaj mend unë, na i djegim stërnishtat. Edhe lavra bahet ma e mirë se digjet bari i keq dhe kur ta mjelli kallamboq vitin e ardhshëm bari del ma pak”, thotë xha Halilaj.


Cilat janë pasojat për tokën?


Pasojat që i shkakton zjarri tokës, për portalin "Ferma Ime", në mënyrë të detajuar i shpjegon Xhevdet Elezi, profesor në Fakultetin e Bujqësisë, i cili merret me studimin tokës. Ai thotë se lënda organike në tokën bujqësore krijohet si rezultat i proceseve jetësore, gjegjësisht bashkëveprimit të mbetjeve të botës së gjallë (prejardhje bimore e shtazore) dhe organizmave të gjallë (pedo florës dhe faunës) që jetojnë në tokë. “Nëse këtë e shprehim në numra, atëherë themi se në sipërfaqe prej 1 hektar, te një tokë më pjellori mesatare, p.sh. toka Kambisol (e kuqe), Podzole etj. të cilat në vendin tonë kryesisht mbillen me drithëra, në thellësi deri 20 cm, brenda vitit mbesin deri 2500 kg kashtë/ha, kurse jetojnë rreth 25000 kg/ha masë e gjallë e organizmave (baktere, kërpudha, alga, protozoa, skraja të shiut, etj.)”.


Sipas profesor Elezit, në kushte normale, kjo masë bimore shndërrohet në materie ushqyese (humusore dhe jo-humusore).


“Nëse masën e mbetur e djegim (temperatura arrin në 200-400°C), atëherë jo vetëm që do të humbim lëndën organike, por do të shkatërrojmë edhe tërë masën e organizmave të gjallë (të dobishëm), pjesa më e madhe e së cilës normalisht zhvillohet në temperaturë 10-20 e rrallë edhe 20-35°C”, thekson profesor Elezi.


Bujku Pajazit Halilaj, ndonëse ishte vështirë të bindet për pasojat e zjarrit, ai tha se edhe plehërimin e tokës e bënë vetëm kur ajo të mbillet me ndonjë kulturë bujqësore. Por, për këtë rast, profesor Elezi, thotë se në praktikat agroteknike në Kosovë, çdo herë e më pak përdoren plehrat organik, prandaj në të shumtën e rasteve, lëvrimi i mbetjeve të korrjes paraqet mënyrën më të shpeshtë të pasurimit të tokës me lëndë organike. E si pasojë e kësaj, djegia ndikon mjaft negativisht në rendimente që prodhon toka.


“Është me rëndësi të theksohet për fermerët se përpos përmirësimit të vetive kimike, lëvrimi masës së mbetur bimore, dukshëm ndikon në përmirësimin e vetive fizike (strukturës), pra ndikon në përmirësimin e vetive prodhuese të tokës bujqësore. Kjo mund të matet me analiza të tokës, por edhe me analizë ekonomike të prodhimtarisë, sepse me lëvrimin e masës së mbetur, dukshëm zvogëlohet sasia e nevojshme për përdorim të plehrave minerale. Prandaj, të gjitha veprimet e kundërta, e në veçanti djegia e masës së mbetur shkakton efekte, jo vetëm të zvogëlimit të prodhimtarisë për vitin në vijim, por edhe efekte negative për periudhë më të gjatë” sqaron profesor Elezi.


Si të trajtohet toka pas korrjes?


Profesor Elezi thekson se fermerët edhe mund të mos kenë shumë informata për dobinë, respektivisht dëmet e këtij procesi. Përndryshe, sipas tij, ata do të vepronin sipas praktikave të mira, por natyrisht edhe do të respektonin normat e përcaktuara për këtë masë agroteknike. Prandaj, duke e parë rëndësinë e informimit për bujqit që ende nuk janë të vetëdijshëm për dëmet që shkakton zjarri në tokat bujqësore, profesor Elezi, në funksion të informimit të fermerëve dhe duke pasur parasysh rolin e portalit “Ferma Ime”, prezanton disa këshilla lidhur me trajtimin e mbetjeve pas korrjes.


– Mbetjet pas korrjes duhet të lëvrohen dhe në asnjë mënyrë mos të digjen, përpos nëse me ndonjë rekomandim ose masë ligjore nuk është paraparë ndryshe.


– Lëvrimi i mbetjes së korrjes bëhet me qëllim të pasurimit të tokës me lëndë organike. Duhet ditur se nga masa e mbetur do të krijohet sasi e konsiderueshme e lëndës organike. Llogaritet që nga 100 kg kashtë do të krijohen 8 kg lëndë të freskëta dhe deri 30 kg materie humusore, dhe sikur theksuam këtë proces e kryejnë masa e gjallë e tokës (flora dhe fauna).


– Mbetjet bimore varësisht nga tipi i tokës, sasia e të reshurave, aktiviteti mikrobiologjik, etj. duhet të lëvrohen (10-20 cm) në toka të rënda, kurse diç më thellë në toka të lehta. Ajo që duhet të dinë fermerët është se kashta është lëndë organike me shumë celulozë, gjegjësisht raporti i karbonit dhe azotit (C:N) është shumë i gjerë (50-150:1) dhe i papërshtatshëm për ushqim të mikroorganizmave. Për zbërthimin e masës së kashtës, mikroorganizmat do ta shfrytëzojnë këtë element nga toka dhe kjo dukuri quhet “fyti i ngushtë i azotit”, gjegjësisht toka varfërohet me azot. Për të evituar këtë dukuri, rekomandohet që për çdo 100 kg kashtë të shtohen 0.7-0.8 kg N, ose 1.2-1.5 kg URE 46%.


– Me aplikimin e lëvrimit të cektë të masës së kashtës, fermerët do të krijojnë këto përparësi: zvogëlojnë populacionin e barojave, gjegjësisht krijohet mundësia që farërat e tyre të mbijnë shumë cekët në sipërfaqe dhe ato plotësisht zhdukën gjatë lëvrimit themelor. Pastaj, bëhet ndërprerja e poreve kapilare, gjegjësisht pengohet evapotranspirimi (humbja e lagështisë), ndërsa dukshëm shtohet aktiviteti mikrobiologjik i tokës.


Për të ndikuar në zbutjen dhe eliminimin e kësaj dukuri profesori i studimit të tokës, në Fakultetin e Bujqësisë, Xhevdet Elezi, thotë se me këshilla praktike duhet të bindën fermerët se vendimi më i keq është djegia e masës së kashtës, sepse ky veprim do të shkëpuste qarkullimin aq shumë të dobishëm të lëndës ushqyese në tokë. Krahas edukimit, vendi ynë duhet të nxjerrë akte ligjore me të cilat do të rregullonte veprimet agroteknike me masën bimore të mbetur pas korrjes – përfundon profesor Elezi.


Zjarret rrezik edhe për njerëzit


Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, thotë për portalin "Ferma Ime" se djegia e hamullorëve paraqet rrezik edhe për pjesëmarrësit në komunikacion rrugor. “Natyrisht se nëse një djegie e tillë ndodhë në afërsi të rrugëve, qofshin ato rajonale apo magjistrale, ajo shkakton rrezik në komunikacionin rrugor. Përveç kësaj, nëse zjarri si pasojë e djegies së hamullorëve del jashtë kontrollit atëherë mund të konsiderohet edhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, thotë Kelani.


Prandaj, u bëhet thirrje të gjithë bujqve që mos t`i djegin hamullorët, pasi dëmet janë shumëfish më të mëdha se sa pretendimi se ky veprim sjell dobi. /FermaIme/


fermaime.com/

Nga: Ferma Ime (Prishtine)
Telefon: tel
E-mail: info@fermaime.com