Pergjigje per Urimin nga Këshilltari Komunal

Përgjigje në pyetjet e lexuesit:


Lexuesi i portalit tone Urim Pllana nga Gjilani, ne rukriken Sherbimet Keshillimore na eshte drejtuar me pyetjen: "I/e nderuar deshta te ju bej nje pyetje nese eshte e mundur te me pergjigjeni, se kur eshte koha me e mire per krasitjen dimrore te pemeve dhe se a duhet te lyhet trungu i pemes me gelqere.."


Kur është koha më e mirë për krasitjen dimërore të pemëve


Krasitja dimërore e pemëve realizohet gjate periudhes se qetesise relative të pemëve, ne Dimer. Kjo fillon pas renies se gjetheve dhe mbaron para fillimit te fryerjes se sytheve. Kjo është kryesore, mirëpo se a do të fillojme menjëherë pas rënjes së gjetheve apo pak para fillimit të vegjetacionit varet edhe nga disa faktorë si janë: madhësia e sipërfaqes me pemë dhe fuqia punëtore që disponojmë. Qëllimi është që krasitja të mund të kryhet para fillimit të vegjetacionit, para fryrjes së sythave, para fillimit të lëvizjes së lëngjeve të pemës. Më poshtë po japim disa parime për të kuptuar më mirë kur duhet filluar krasitja dimërore e pemëve. • Kur temperaturat jane nen zero, krasitjet nuk duhet te behen, sepse kambiumi është shume i ndjeshem dhe plaget e shkaktuara nga prerjet nuk sherohen/mbyllen lehte. Madje, krasitja nuk rekomandohet te behet direkt pas renies se gjetheve. Kjo sepse, kur lendet rezerve gjate dmrit zbresin ne kercell, ato ne fazen e renies se gjetheve akoma jane ne degeza. Po te priten keto degeza, bashke me to do te hiqet edhe nje pjese e konsiderueshme e lendeve rezerve.


• Nese krasitjet behen kur ka filluar fryerja e sythave, veç humbjeve te sytheve qe vine nga ferkimi i degezave gjate aktit te krasitjes (sythat e fryrë leht dëmtohen në këtë kohë), bashke me deget e prera largohet edhe nje pjese e mire e lendes rezerve qe ne ate periudhe ka shkuar neper degeza e sythe.


• Në rastet kur kemi të bëjë me sipërfaqe të vogla të pemishtes dhe me fuqi të mjaftueshme punëtore, atëherë krasitjen nuk duhet filluar para kalimit të ngricave ekstreme dimërore, që të mos vije deri te dëmtimi i degëve në vendin e prerjes nga ngricat.


Varësisht nga kushtet klimatike që mbretërojnë, nese kemi fuqi punëtore të mjaftueshme atëherë, në kushtet e Rrafshit të Dugagjinit krasitjen duhet filluar diku në pjesën e dytë të muajit shkurt (15 shkurt), kurse për kushtet e Rrafshit të Kosovës nga 20 shkurti. Por shumë me rëndësi është që krasitja të kryhet para fillimit të vegjetacionit që të mos vije deri te humbjet e materieve ushqyese dhe dëmtimi i sythave frutor siq u përmend më lart. Pas krasitjes preferohet nje trajtim me preparate në bazë bakuri për të shmangur infektimin e pemës nga pjesët ku janë bërë prerjet (krasitja). Në rastet kur kemi të bëjë me sipërfaqe të vogla, atëherë preferohet që vendet e prera të lyhen me dyll të pemëve, sidomos kur kemi të bëjë me prerjet e degëve më të trasha.


Lyerja e trungut të pemëve me gëlqere


Shumë njerëz mendojnë se lyerja e trungut të pemëve me gëlqere bëhet për zbukurimin e tyre, prandaj lyerjen e bëjnë në pranverë. Por koha më e mirë për lyerjen e trungut të pemëve është vjeshta, pas rënjes së gjetheve. Lyerja e trungut të pemëve bëhet për disa arsye:


• Për të shmanur pëlcitjen (qarjen) e lëvores së trungut e cila vije nga ngrohja e shpejtë e tij nga rrezet e diellit, gjat ditëve dimërore me diell. Dimrit, gjat natës temperaturat mund të bien disa gradë nën zero. Mirëpo gjat ditës nga rrezet e diellit, ngohet dukshëm trungu i pemëve, sidomos nga pjesa jugore, dhe vije deri te bymimi i tij. Pastaj gjat natës prap ftohet nga temperaturat shumë të ulta e kështu me radhë. Nga këto ndryshime të shpejta të temperaturës vije deri te pëlcitja e lëvorës së trungut, e cila bëhet e ndijshme nga të ftohtit dhe sidomos nga aty fillojnë infekcionet nga shkaktarët e sëmundjeve të ndryshme. Ngjyra e bardhë e gëlqerës duke reflektuar rrezet e diellit, e mbronë trungun nga ndryshimet e shpejta të temperaturës dhe kështu e shmangim pëlcitjen e lëvorës së tij.


• Shtresa e gëlqerës sa do e hollë që është, e mbron trungun nga të ftohtit për disa gradë celzius.


• Një numër i madh i dëmtuesve (insekte të ndryshme) dimërojnë pikërisht në lëvorën e pemëve, kështu lyerja me gëlqere e pa mundëson daljen e tyre apo më mirë me thënë i shkatërron ato.


• Gëlqerja, sidomos nëse përgaditet sipas udhëzimit që do të japim më poshtë, ndikon si fungicid, pasi i shkatërron organët e riprodhimit të këpurdhave dhe bakterieve që poashtu dimërojnë në lëvoren e trungut të pemëve.


• Lyerja me gëlqere, pemët i mbron deri diku edhe nga brejtësit si që janë lepujt dhe minjët e fushës të cilët në mungesë të ushqimit, sidomos kur shtresa e borës është e trashë, shpeshëherë shkaktojnë dëme të mëdha e në rastet ekstreme edhe shkatërrimin e plotë të pemishtes. Një rast i tillë te ne ka ndodhur në dimrin e vitit 2011/ 2012 kur për shkak të borës së madhe e cila pati mbuluar ushqimin e brejtësve ata patën shkatërruar pemishte të tëra, duke u ushqyer me lëvoren e trungut të tyre.


Mënyra e përgaditjes së tretjes për lyerjen e trungjeve të pemëve:


• 5 kg gëlqere të shuar


• 0,5 kg sulfur pluhur


• 0,5 kg kripë të kuzhinës (kripë të zakonshme, të ushqimit)


• Ujë Pasi të përzihen mirë këto komponente, lihen për të qëndruar së paku 24 orë, pastaj me te bëhet lyerja e trungut dhe degëve skeletore të pemëve. Kuptohet sipas nevojës sasia mund të rritet, por gjithnjë duke e ruajtur raportin mes këtyre komponenteve. Nëse sulfuri nuk mund të gjendet, atëherë përzierja mund të përgaditet vetem me gëlqere dhe kripë. Gëlqerja shërben për mbrojtjen e trungut nga ndryshimet e shpejta të temperaturës Sulfuri shërben si dezinfektues, dmth. Shkatërron mikroorganizmat, që janë shkaktarë të sëmindjeve, por edhe insektet që mund të jenë duke dimëruar në lëvoren e pemëve, kurse kripa ndikon në ngjitjen më të mirë dhe qëndrueshmërinë e gëlqerës.


Kjo pergjegje është dërguar nga këshilltari për bujqësi i komunës së Gjilanit: Ing, i dipl. i bujqësisë z.Nazmi Rapuca

Nga: Nazmi Rapuca (Gjilan)
Telefon: 044/ 212 357
E-mail: nazmirapuca@hotmail.com