Përgjigje për Egzon Ibrahimi

Ne pyetjen e parashtruar nga Egzon Ibrahimi lidhur me vrugun e domates.


Pyetja: Pershendetje stafi i portalit Ferma Ime, Kam nje pyetje per semundjen e vrugut te domates. Cilat jane masat parandaluese dhe masat e kontrollimit te kesaj semundje te domatja ?


Pergjigje



Vrugu i domates (Phytophthora infestans).


By keshilluesi bujqesor, on April 30th, 2011

 



Simptomatologjia.

Sëmundja prek domaten e kultivuar, si në fushë të hapur, ashtu edhe në mjediset e mbrojtura dhe shfaqet në të gjitha organet mbitokësore të bimës. Në  gjethe shenjat e saj paraqiten me njolla të çrregullta e të çngjyrosura, të cilat me kalimin e kohës errësohen dhe marrin ngjyrë kafe. Kur lagështia ajrore është e ë lartë dhe  koha shoqërohet me mjegulla dhe  shira, sëmundja përfshin të gjithë sipërfaqen gjethore të bimëve. Me përparimin  e sëmundjes, në anën e poshtme të gjetheve, në korrespondencë me zonat e prekura, vërehet organi i frutifikimi i parazitit me ngjyrë gri, i cili përfaqëson sporangombajtësit (ose konidembajtësit) me sporangjet (konidet) e patogjenit, me të cilat kërpudha përhapet për të dhënë infeksione të reja. Gjethet e prekura në këtë mënyrë, brenda një kohe të shkurtër thahen dhe rrëzohen.


Gjethe e prekur nga vrugu i domates.


Në kërcell dhe në bishtat e gjetheve infeksionet shfaqen në trajtë rrypash gjatësorë pak a shumë të gjerë, ndërsa në fruta, qëkurse ato janë ende të gjelbra, patogjeni jep njolla të tejdukshme, të çrregullta e të shtypura, të cilat me kohë zmadhohen duke ndryshuar ngjyrën nga e gjelbër e ullinjtë në kafe të errët. Frutat e prekura nuk arrijnë në pjekjen e tyre të plotë por paraqiten me zona jeshile, brenda të cilave vërehen njollat e lartpërmendura dhe organet e frutifikimit të parazitit.  Fruta të tillë janë të destinuara të bien në tokë, duke iu nënshtruar më tej kalbëzimit të qulltë.


Fruta te prekur nga vrugu i domates.


 

Biologjia dhe epidemiologjia

Sëmundja e vrugut të domates ka si shkaktar specien kërpudhore Phytophthora infestans (Mont.) De Bary, një fikomicet i rendit Peronosporales. Ai shfaqet me biotipe të ndryshme dhe në pjesën më të madhe të rasteve riprodhohet me anë të shumëzimit aseksor.

Diferencimi dhe shumimi i strukturave të riprodhimit të kërpudhës janë të lidhura ngushtë me kushtet e mjedisit, kryesisht me vlerat e temperaturës dhe të lagështisë. Në fakt, infeksionet e vrugut në domate realizohen me intensitet më të lartë në vitet me lagështi të lartë, me vesa, mjegulla dhe shira.

Strukturat e shumëzimit aseksor të kërpudhës, të përbëra nga sporangjet në formë limoni, transportohen me anë të erës, shiut dhe ujitjeve mbi organet e bimëve në vegjetacion, ku mund të mbijnë në qoftë se lagështia është e mjaftueshme. Kur temperatura shënon mbi 18ºC dhe lagështia nuk është e kondensuar në bulëza uji, mbirja e sporangut realizohet drejtpërsëdrejti me micel (pra ai sillet si konid), ndërsa në kushtet e pranisë së bulëzave të ujit mbirja realizohet me diferencimin në brendësi të sporangut dhe çlirimin e zoosporeve, të cilat pasi lëvizin me anë të flagjelave, mbijnë duke dhënë infeksione të reja. Periudha e inkubacionit lëviz në intervalin 3 deri në 6 ditë në vartësi të temperaturës, vlerat optimale të së cilës lëvizin nga 20 në 23ºC.

Kërpudha dimëron në formë miceli të fjetur në mbeturinat bimore në tokë dhe sidomos në tuberët e patates, pasi është i njëjti parazit edhe për këtë të fundit. Oosporet sferike me parete të trashë, të cilat vërehen rrallë, rezultojnë nga fuzionimi i organit mashkullor (anteridit) dhe atij femëror (oogonit) për të dhënë zigotin, i cili transformohet në oospor.

Brenda popullatës patogjenike të Ph.infestans ekzistojnë disa raca fiziologjike, midis të cilave në kushtet e vendeve mesdhetare konsiderohen si më të përhapura raca “0” dhe “4”.

 

Masat e kontrollit të sëmundjes.

Masat me karakter agroteknik e klimatik kanë rëndësinë e tyre në kufizimin e sëmundjes. Të domosdoshme konsiderohen ajrosja e serrave, mbajtja e regjimit të temperaturës mbi 27ºC, eliminimi i ujitjeve në formë shiu, normalizimi i lagështisë me ane të tharjeve të masës vegjetative dhe përdorimi i plehërimeve të  balancuar.

Ndërhyrjet kundër vrugut të domates duhet të fillojnë menjëherë sapo të verifikohet që kushtet termo-hidrike janë të përshtatshme. Ato mund të pasohen nga trajtime të tjera me intervale 6-12 ditore, në vartësi të preparateve kimike dhe vijueshmërisë së faktorëve klimatikë.

Në shumë vende aplikohen kritere parashikimi për shfaqjen e sëmundjes së vrugut nëpërmjet ndjekjes së përditshme të parametrave të faktorëve klimatikë favorizues të epifitisë, siç janë reshjet, lagështia ajrore, mjegullat, vesat dhe temperaturat. Për shembull konsiderohen të favorshme reshjet të paktën 20 mm të rëna brenda 5 ditëve për shfaqjen epifitike të sëmundjes dhe temperaturat optimale në intervalin 20-23°C.

Midis preparateve më të efektshëm konsiderohen ato me bazë bakri  dhe kombinimet me to si; lëngu bordolez 0.5-1% dhe oksikloruri i bakrit 0.5-0.8%, sidomos në fazat e para të infeksioneve. Gjithashtu konsiderohen të efektshme preparate të tilla si chlorothalonil,  mancozeb, metalaksil, benalaksil, cymoxanil,  dimethomorph, famoxodone, azoxystrobin, etj. Gjithsesi, me këto të fundit nuk duhet tepruar me trajtime të shpeshta dhe të pa alternuara me ato të bakrit, pasi çojnë në diferencimin e shtameve rezistente (shiko tabelat në fund).

Rezultate inkurajuese kanë treguar kërkimet për krijimin e kultivarëve të domates të qëndrueshëm ndaj vrugut. Aktualisht njihen gene përgjegjës për  qëndrueshmërinë ndaj vrugut, si geni Ph-1 ndaj racës 0 dhe Ph-2 mesatarisht resistent ndaj racës tjetër.

Pergjigj ja eshte marr nga keshilluesibujqesor.al/

Nga: Ferma Ime (Prishtine)
Telefon: tel
E-mail: info@fermaime.com