Përgjigje për Berat Berisha nga Këshilltari Komunal

Ne pyetjen e parashtruar nga Berat Berisha lidhur me krasitjen e perimeve.


Pyetja: Tung dashte me bo ni pytje rreth trangujve dhe domatev se deri kur duhet te hiqen disa kopila siq i themi ne ose deg te reja qe dalin ne mes te trupit domatev ,a eshte mir ti hiqen te lihet vetem dega kryesore apo ti lihen edhe ato qe te rriten psh te domatja me lon bohet gjigante me deget e saj une ja hjeku ,nese ka mundesi te keto dyja qe i kultivoj une mem tregu si me vepru edhe pse dej tash kom pas sukses ne kultivimin e tyre per komsum familjar,gjithsesi ja kisha preferu njerzve edhe domaten qershi mendoj te na perdoret pak eshte shum e mir edhe pjeken frtutat shpejt edhe qet shum fruta flm.


Pergjigje:


Krasitja e kastravecit


Krasitjet janë shërbimi më i rëndësishëm për domaten dhe kastravecin në sera. Qëllimi i krasitjes është të influencojë ose të rregullojë raportet midis rritjes vegjetative dhe frutifikimit të bimëve. Në të njëjtën kohë ajo i siguron bimëve më shumë ajër dhe në këtë mënyrë lehtëson frymëmarrjen e bimëve dhe kufizon prekjen nga sëmundjet. Në krasitjen e kastravecit është shumë i rëndësishëm momenti i lejimit të formimit të frutit të parë. Fruti i parë lejohet të krijohet vetëm pas formimit të 8-10 gjethe, nëse tentohet prodhim i zgjatur nga bimët. Kjo bëhet për të stimuluar krijimin e një sipërfaqeje të mjaftueshme gjethore dhe një aparati të fuqishëm rrënjor për të përballuar ngarkesa prodhimi më të larta dhe më të zgjatura në kohë. Nëse përkundrazi synohet një cikël i shkurtër prodhimi, por i orientuar drejt shfrytëzimit të periudhave me çmim të lartë në treg, mjaftojnë 5-6 gjethe deri në lejimin e formimit të frutit të parë në bimë. Në raste të tilla, padyshim që prodhimi i realizuar nga bimët është më i ulët. Mënyrat e krasitjes ndryshojnë në varësi nga tipi i kultivarit.


Krasitja e kultivarëve frut shkurtër. Si rregull, në përputhje me komentet e bëra më lart, deri në lartësinë 30-50 cm hiqen të gjithë lastarët anësorë dhe frutat e porsaformuara. Nga kjo lartësi deri në lartësinë e telit këputen majat e të gjithë lastarëve anësorë menjëherë sapo ata kanë formuar gjethen e tyre të dytë (janë krijuar kultivarë, të cilët nuk formojnë lastarë të gjatë në sqetullat e tyre dhe prandaj nuk lind nevoja e këtij operacioni). Në këtë kohë lihen të rriten në bimë frutat e formuara në sqetullat e gjetheve të lastarit kryesor dhe ata të formuar në lastarët anësorë.


Largimi i frutave nën lartësinë 50 cm, sigurisht që shkakton humbje të prodhimit të hershëm. Sidoqoftë, këto humbje kompensohen me rritjen e shpejtë të bimëve më vonë, gjë që nuk ndodh në rastet kur nuk largohen fruta e parë. Kur bimët arrijnë lartësinë e telit, lihen të rriten lirisht të gjithë lastarët anësorë. Në këtë kohë bimët kanë formuar një aparat gjethor të bollshëm, të mjaftueshëm për të rritur një numër të madh frutash.


Krasitja e kultivarëve frutgjatë. Deri në lartësinë 50-70 cm hiqen të gjithë lastarët anësorë dhe frutat e formuara në sqetullat e gjetheve tëlastarit kryesor. Nga kjo lartësi deri në lartësinë e telit horizontal hiqen gjithashtu të gjithë lastarët anësorë, por lihen të rriten frutat e formuara në sqetullat e gjetheve të lastarit kryesor. Sidoqoftë, numri i frutave të formuara në lastarin kryesor varet nga intensiteti i rritjes së bimëve dhe sezoni i kultivimit. Në momentin kur lastari kryesor arrin lartësinë e telit, maja e bimës këputet, duke lënë 2 gjethe mbi lartësinë e tij. Nga kjo lartësi lejohen të rriten 2-3 lastarët e majës, të cilët varen poshtë lirisht. Në momentin që ata arrijnë në rreth 1 m lartësi mbi sipërfaqen e tokës, u pritet maja dhe lihen të rriten prej tyre lastarë të rendit të dytë, të cilët realizojnë pjesën tjetër të prodhimit të bimëve. Në kultivarët me frut të gjatë zakonisht del një frut i vetëm në çdo sqetull gjetheje. Megjithatë, ndonjëherë, në kushtet e temperaturave të ulta, egziston mundësia e formimit të disa frutave në një sqetull të vetme. Në këto raste është i domosdoshëm largimi i tyre, për ti lënë mundësi rritjes normale të një fruti të vetëm. Gjatë dimrit dhe në kushtet e ndriçimit të kufizuar, sidomos pas një periudhe intensifikimi frutifikimi, rritja e bimëve mund të reduktohet dhe shfaqet rrëzimi i frutave. Për të parandaluar këtë është e rëndësishme të ekuilibrohet numri i frutave me madhësinë e sipërfaqes gjethore të bimëve (sasinë e lëndës organike të prodhuar prej tyre), nëpërmjet largimit të një pjese të frutave. Për ta mundësuar këtë në çdo tre nyje lihen të rriten vetëm dy fruta derisa të përmirësohen kushtet natyrore të rritjes. Ky operacion kryhet kur frutat kanë arritur gjatësinë 7-8 cm, duke larguar përgjithësisht frutat e keqformuar.


Gjatë procesit të krasitjeve, hiqen gjithashtu gjethet e bazës së bimëve në kohën kur ato fillojnë të zverdhen, ose rrallohen kur pengojnë shpërndarjen uniforme të dritës dhe ajrimin e bimëve. Nga fundi i periudhës bimore, ose kur bimët dëmtohen nga ndonjë sëmundje, nga nyjat e kërcellit kryesor, dalin lastarë të rendit të dytë, me një ose më shumë frute, pranë njëri tjetrit. Edhe në këtë rast lihet një frut në çdo nyjë. Ky frutifikim dytësor, nëse administrohet me kujdes, është një mundësi e mirë për të zgjatur periudhën bimore të kastravecit dhe rritur prodhimin e tij. Krasitja e domates. Krasitja aplikohet për këputjen e majës së bimëve, për të ndërprerë rritjen e bimëve në lartësi, por gjithashtu edhe për eliminimin e lastarëve anësorë të bimëve. Këputja e majës favorizon rritjen e frutave dhe në këtë mënyrë sigurohet peshë më e madhe e tyre. Për këtë arsye, këputja e majës së bimëve, në fund të sezonit të kultivimit, është gjithmonë me interes.


Shumica e bimëve zhvillojnë degë të dyta nga sythat e tyre anësorë. Degët anësore, zakonisht janë të padëshirueshme për rritjen e ekuilibruar të bimëve dhe nëse nuk eliminohen rezultojnë në një numër të madh frutash të vegjël dhe përgjithësisht pak të pëlqyer. Për domaten, krasiten të gjithë lastarët anësorë, me përjashtim të atyre që lihen për të kontrolluar densitetin e kërcejve të bimëve, për njësi të sipërfaqes së tokës. Sqetullorët hiqen jo më vonë se të kenë formuar një gjethe. Vonesa e heqjes së tyre shkakton çrregullime në rritje e zhvillim, rrjedhojë e konkurrencës për asimilate, dhe ndërkohë duke i larguar sqetullorët me vonesë plaga e shkaktuar është më e madhe dhe bëhet burim infeksioni. Gjatë heqjes së sqetulloreve duhet patur kujdes të mos hiqet lëkura në kërcell.


Me qëllim që të reduktojnë shpenzimet për sistemin e ujitjes dhe për të siguruar më shumë hapësirë për trajtimet dhe vjeljet e bimëve, kultivuesit modernë të domates, aplikojnë tashmë kultivimin në formë V. Ky sistem kultivimi, realizohet nëpërmjet dyfishimit të numrit të bimëve në rresht, ose duke zvogëluar distancën midis rreshtave binjakë. Në të dy rastet bimët vendosen në mënyrë të alternuar majtas dhe djathtas. Në këtë sistem përdoret vetëm një tub uji për çdo çift rreshti, por në këtë rast pikalëshuesit vendosen jo më larg se 20-25 cm larg nga njëri tjetri.


Ndonëse, mënyra më e zakonshme e kultivimit të domates në sera është me një degë të vetme, sidomos në rastet kur janë përdorur për mbjellje fidanë të shartuar, të cilët zakonisht i bëjnë bimët më të fuqishme nga pikëpamja vegjetative, kultivimi në formë V mund të realizohet edhe nëpërmjet kultivimit të bimëve me dy degë. Kur fidanët krasiten dhe lihen të rriten me dy degë, njëra degë lihet të rritet djathtas dhe tjetra majtas. Në këtë rast reduktohet gjithashtu edhe numri i bimëve që mbillen.


Kjo pergjegje eshte derguar nga keshilltari per bujqesi i komunes se Mitrovices. Msc. z.Bedri Bajrami

Nga: Bedri Bajrami (Mitrovice)
Telefon: tel
E-mail: bedribajrami_055@yahoo.com