Për një vit, priten një milion metra kub pyje

Kosova ka 460 mijë hektarë pyje. Rreth 80 për qind e lëndëve djegëse në vend kanë burim pyjet. Andaj, ekspertët e kësaj fushe, thonë se pyjet në Kosovë nuk janë në nivel të kënaqshëm, derisa shtojnë se gjatë një viti priten rreth një milion metra kub pyje.

Ndonëse Kosova ka ligjin për pyje, i cili është miratuar në vitin 2003, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ky ligj nuk respektohet.
Tahir Ahmeti, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Pylltarisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se gjatë vitit shqiptohen më shumë se 6 mijë fletëparaqitje për prerje ilegale apo jo të rregullt të pyjeve.
“Gjendja e pyjeve nuk është e kënaqshme. Në Kosovë janë të shkatërruara pyjet dhe në vende të caktuara edhe të degraduara në masë të madhe. Ne si Kosovë kemi trashëguar pyje të mira natyrore. Në vitin 2011-12 kemi bërë inventarizimin kombëtar të pyjeve, dhe kemi përcaktuar sasinë dhe dëmet eventuale që janë shkaktuar”.
“Prerjet ilegale janë në nivel rritjeje, që do të thotë se në Kosovë gati 1 milion metra kub në vit prehen në mënyrë jo të rregullt, pra pa i respektuar procedurat adekuate. Jemi duke bërë përpjekje që ta rregullojmë këtë çështje me akte nënligjore që të mbrohen sa më mirë pyjet”, tha Ahmeti.
Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se ndonëse në masë të madhe janë shkatërruar pyjet, është arritur që me pyllëzimin apo mbjelljen e fidaneve të reja, sado pak të ruhet ambienti pyjor.
“Ka pasur dëmtime të mëdha vitet e kaluara, por ajo që vlen të thuhet është se përkundër dëmtimeve që kanë ndodhur si nga zjarret apo edhe nga vetë faktori njeri, ka arritur që të bëhet në njëfarë forme kompensimi i këtyre dëmeve, në kuptimin e mbjelljes apo pyllëzimit të sipërfaqeve të reja. Ka qindra hektarë në vit që pyllëzohen dhe është arritur veçanërisht vitet e fundit, që të ruhet fondi i përgjithshëm pyjor”, bën të ditur Krasniqi.
Ndërkaq drejtori për menaxhimin e pyjeve, në agjencinë pyjore të Kosovës, Faruk Bojaxhi, ka thënë se nuk kanë informacion real se në çfarë gjendje janë pyjet, pasi që raportimi nga autoritetet komunale është i mangët.
“Situata e pyjeve në Kosovë, lë për të dëshiruar. Normalisht akoma kemi problem me prerjet ilegale të pyjeve dhe shohim çdo vit progres në këtë çështje. Që nga viti 2010, kompetencën për mbrojtjen e pyjeve e kanë autoritetet Komunale”.
“Ne mundohemi të kemi raporte të mira, ndonëse kjo është e qartësuar edhe me ligjin për pyjet e Kosovës, por raportimi është i mangët, bëhet me vonesë apo nuk bëhet fare. Andaj edhe nuk kemi ndonjë informacion real se në cfarë gjendje saktësisht janë pyjet e Kosovës”, tha Bojaxhi.
Sidoqoftë sipas vlerësimeve, thuhet se 40 për qind e tokave pyjore publike, dhe 30 për qind e tokave pyjore private, janë të prekura nga prerjet ilegale dhe aktivitetet e shfrytëzimit të pakontrolluar.
Prerja ilegale e drunjve mund të sjellë gjobë në vlerë deri në 25 mijë euro. /rel/FermaIme/

Të fundit

Ju rekomandojmë

Mundësi për punë praktike me pagesë për të diplomuarit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë – FBV

Në kuadër të “Professional Placement Program”, zyrtarisht është hapur thirrja për aplikim e grupit të dytë për ...

Prezantohet ngarkuesi i JCB, “Farm Master 435S”

Kompania “JCB Agriculture” sapo ka lansuar vesionin e ri të ngarkuesit të saj me rrita me performansë të lartë për të ...

Mbështetësit

Partnerët