Brenda një viti 135 fletëparaqitje për prerësit ilegalë

Komuna e Shtimes, përkatësisht Sektori Pylltarisë, ka publikuar raportin njëvjeçar të punës për vitin 2014. Gjatë kësaj periudhe, sipas këtij raporti, janë bërë gjithsejtë 135 fletëparaqitje për gjykatë ndaj prerësve ilegalë të pyjeve, të cilët kanë bërë dëme të pyllit prej 134.18 metrash kub apo në shumën financiare prej 19 541 eurosh.

Fadil Emini, përgjegjës për Pylltari në Komunën e Shtimes, ka deklaruar se janë të obliguar të raportojnë në periudha mujore dhe vjetore për prerësit ilegalë të pyjeve. Sipas tij, raportet e tilla kalojnë në Drejtorinë Rajonale të Pyjeve në Ferizaj, por edhe në Agjencinë Pyjore të Kosovës në Prishtinë. Ai ka sqaruar se viti 2014 kishte shënuar një rënie të theksuar të numrit të lëndëve ndaj prerësve ilegalë të pyjeve në krahasim me vitet e kaluara.

"Sipas raportit të vjetër të publikuar, brenda vitit 2014 kemi bërë gjashtë fletëparaqitje penale për gjykatë me 37.02 metra kub. Vlera financiare e këtyre druve ishte prej 5 664 eurosh. Për kundërvajtje i kemi bërë 129 fletëparaqitje me 97.16 metra kub. Vlera financiare e tyre ishte 13 097 euro. Gjithsejtë në tërësi, gjatë një viti janë bërë 135 fletëparaqitje me 134.18 metra kub të druve dhe vlera e tyre ishte 19 541 euro", ka deklaruar Emini, duke shtuar se nuk janë aq të kënaqur me shqyrtimin e lëndëve nga gjykatat.

"Sidoqoftë, të gjitha lëndët do të shqyrtohen gradualisht, andaj kërkoj nga qytetarët e Komunës së Shtimes të vetëdijesohen dhe mos t'i dëmtojnë pyjet, sepse nga kjo punë nuk mund të pasurohet askush, por vetëm se do të kenë telashe dhe gjoba të larta nga gjykata. Duke i krahasuar vitet e kaluara, kemi një rënie të numrit të lëndëve për gjykatë. Kjo ka ndodhur për shkak se prerësit apo qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen dhe ta kuptojnë se nga ky lëmë nuk do të kemi ardhmëri të mirë, andaj të gjithë së bashku duhet t'i ruajmë këto pyje sepse janë pasuri natyrore", ka bërë me dije duke shtuar se gjatë muajit janar-shkurt të këtij viti kanë bërë vetëm 32 fletëparaqitje për kundërvajtje me një sasi të druve prej 26 metër kub, ku vlera e tyre arrin në 3 556 euro.

"Edhe në krahasim me periudhën e njëjtë janar - shkurt të vitit të kaluar kemi rënie të numrit të fletëparaqitjeve për gjykatë. Kjo tregon se qytetarët, përveçse po u largohen dënimeve, ata po i largohen edhe punës së rëndë, e cila nuk është zgjidhje për t'u pasuruar", ka deklaruar Emini. Në territorin e Komunës së Shtimes ekzistojnë 4 444 hektarë me pyje shoqërore, të cilat menaxhohen vetëm nga tre rojtarë, ndërsa ekzistojnë edhe 3 380 hektarë me private.
 

Të fundit

Ju rekomandojmë

Prezantohet ngarkuesi i JCB, “Farm Master 435S”

Kompania “JCB Agriculture” sapo ka lansuar vesionin e ri të ngarkuesit të saj me rrita me performansë të lartë për të ...

Spinaqi, ushqimi me super-fuqi shëruese

Ju tashmë e dini se spinaqiështë i mirë për shëndetin tuaj, por a e dini se sa i mirë është ai...

Mbështetësit

Partnerët