Gjysma e pyjeve i nënshtrohen prerjeve pa procedura ligjore

Veprimet e paligjshme për prerjen e pyjeve vazhdojnë ende në Kosovë, edhe pse në vitin 2010, kompetencat e mbrojtjes dhe dhënia e lejes për prerje ka kaluar tek autoritetet komunale.

Sipas drejtorit të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Ahmet Zejnullahu në përgjithësi mbrojtja e pyjeve nuk është e kënaqshme për arsye se ende në Kosovë mbi 49 për qind e pyjeve i nënshtrohen prerjeve pa procedura ligjore.

Ndërsa shton ai, tek pyjet private kemi një përqindje më të vogël të prerjeve.

“Me ligjin e ri për pyje i cili është draftuar, pritet që kompetencat e mbrojtjes së pyjeve të kalojnë prapë në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, kështu që edhe stafi i deleguar nëpër komuna në vitin 2010 prapë do të kthehet tek Agjencia”, ka thënë Zejnullahu.

Zejnullahu ka bërë të ditur se komunat më tepër të dëmtuara që i nënshtrohen aktiviteteve të paligjshme janë komuna e Podujevës, Ferizaj, Deçani dhe Peja.

Sipas Zejnullahut, gjendja më e mirë e pyjeve ekziston në komunën e Prizrenit dhe komunën e Dragashit.

Me inventarizimin nacional të pyjeve në Kosovë, 44.57 për qind e sipërfaqeve tokësore janë të mbuluara me pyje.

“Inspektorati i pyjeve që vepron në kuadër të Agjencisë së Pyjeve, vitin e kaluar ka zhvilluar aktivitete të shumta në kontrollimin e sektorit të pylltarisë. Janë kryer 1258 kontrolle në objekte afariste, në tregje, qarkullim të rrugëve, ngastra pyjore. Më këtë rast, janë ngritur më se 223 fletëparaqitje prej të cilave edhe fletëparaqitje për vepër penale dhe kundërvajtje”, ka thënë Zejnullahu për Telegrafin.

Po ashtu sipas Zejnullahut, inspektorati ka konfiskuar rreth 727 metra kub të drunjve dhe ka ngritur padi apo fletëparaqitje edhe për zyrtarë komunale të cilët nuk kanë bërë kryerjen e detyrave ashtu siç është paraparë me ligj.

I pyetur nga Telegrafi se sa janë të kënaqur me gjykatat rreth shqyrtimit të lëndëve, Zejnullahu ka thënë se nuk janë aspak të kënaqur për arsye se 50 për qind e lëndëve për shkak të vjetërsisë shpallen apo u përfundon procedura e shqyrtimit të tyre, me çka edhe shpallen si lëndë të parashtruara.
“Gati 50 për qind e lëndëve nga ky sektor, për shkak të vjetërsisë iu përfundon procedura e shqyrtimit të tyre dhe këto shpallen si lëndë të parashtruara”, ka shtuar Zejnullahu.

Ai ka njoftuar edhe rreth projekteve të Agjencisë, përkatësisht të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rura, duke thënë se me anë të një marrëveshje mirëkuptimi me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies sociale do të angazhojnë 985 punëtorë në projekte të ndryshme në sektorin e pylltarisë.
“Projekti i parë do të fillojë muajin mars i cili përfshin 20 punëtorë me Institutin e Pylltarisë në Pejë ku do të bëhet prodhimi i dy milionë fidaneve. Ky projekt do të zgjasë 9 muaj. Gjithashtu projekti i dytë do të fillojë me pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura ku do të angazhohen 200 punëtorë. Ndërsa projekti i tretë do të fillojë me masa silvikulturore siç janë rrallimet, pastrimet, sanimet nga zjarri i vitit 2012. Këtu do të angazhohen 650 punëtorë. Do të kemi edhe angazhimin e 120 punëtorëve për katër muaj me qëllim mbrojtjen nga zjarret. Vlera e këtij projekti është mbi 600 mijë euro, nga të cilat 450 mijë euro do të ofrohen nga MPMS-ja, ndërsa Agjencia do të participojë me 150 mijë euro”, ka thënë ndër tjerash Zejnullahu.  

Të fundit

Ju rekomandojmë

Prezantohet ngarkuesi i JCB, “Farm Master 435S”

Kompania “JCB Agriculture” sapo ka lansuar vesionin e ri të ngarkuesit të saj me rrita me performansë të lartë për të ...

Spinaqi, ushqimi me super-fuqi shëruese

Ju tashmë e dini se spinaqiështë i mirë për shëndetin tuaj, por a e dini se sa i mirë është ai...

Mbështetësit

Partnerët