Italianët interesohen për produktet bio të Anadrinit

Fermerët e Anadrinit do të mund ta kenë tregun e sigurt për produktet e ndryshme që i marrin nga arat e tyre. Italianët janë të interesuar për produktet bio nga vendet fqinje, në vend se t'i marrin ato nga Kina e largët dhe vende të tjera.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i kooperativave të Italisë, Rosario Altieri, i cili po qëndron në komunat e këtij rajoni për të vendosur një bashkëpunim të tillë mes dy vendeve.

"Nga takimet që kemi pasur dhe nga vizita vizuele që ua bëmë komunave të Prizrenit, Gjakovës dhe Rahovecit, mendojmë se do të kemi mundësi investimesh këtu për të pasur pastaj prodhime të agrikulturës sipas standardeve evropiane dhe bio", tha Altieri për "Kosova Sot". Krejt kjo vjen falë iniciativës dhe angazhimit të veprimtarit nga diaspora, prizrenasit Skender Morina, i cili për dy ditë radhazi ka qëndruar në Kosovë, ku me këtë rast i ka takuar edhe krerët e komunave të Anadrinit. Sipas tij, qëllimi i këtyre takimeve është që të fillojë bashkëpunimi konkretë mes kooperativave të Italisë dhe këtyre komunave për të filluar prodhimet bio dhe sipas standardeve evropiane. Ai tha se ka mbetur shumë i kënaqur nga pritjet që ka pasur dhe nga premtimet që kanë marrë.

Nga toka mund të jetohet mirë

Ndërsa, italiani Rosario Altieri tha se planifikojnë që ky bashkëpunim të fillojë që nga pranvera e sivjetme. Sipas tij, kështu bujqësia do të. bëhet njëri nga degët më fitimprurëse të kësaj treve."Ne p.sh. do të merrnim prodhime të domateve nga Anadrinia, më mirë se ato t'i marrim nga Kina. Kemi parë se në këto tri komuna ka vende shumë të mira, sidomos për agrikulturë, duke veçuar këtu perimtarinë dhe vreshtarinë. Jam i sigurt që investimet tona do të jenë të madha këtu dhe shitja apo plasimi i prodhimeve do të jenë të garantuara", tha Altieri, duke shtuar se fermerëve duhet t'u krijohet mundësi dhe të binden se nga tokat mund të jetohet mirë. Presidenti Aliteri tha se fermerët mund të sigurojnë shitje të garantuar dhe kjo domosdo se do të ndihmojë ekonominë e Kosovës. "Agrikultura është një drejtim profitabil që mund të përfitojnë shumë prodhuesit vendorë", tha ai.

Altieri në Prizren ka takuar edhe nënkryetarin e Komunës, Lulzim Kabashin, dhe drejtorin e Bujqësisë, Pal Geci."Kemi pasur një takim dhe jemi pajtuar që të gjendet mundësia e investimeve të kooperativave italiane në këtë rajon tonin", tha Geci, duke shtuar se rajoni i Anadrinisë shquhet për perime kualitative, derisa do të aplikohen edhe standardet e reja evropiane për pohime bio.

Ndryshe, Shoqata e Kooperativave të Italisë numëron 70 mijë fermerë e kompani perimesh në Itali. Iniciatori Skender Morina tha se iniciativa italiane për këtë rajon ka ardhur duke pasur parasysh kualitetin e perimeve, dhe veçanërisht rrushit të kësaj ane, i cili kishte fituar nam qysh në vitin 1970, kur nga këtu është eksportuar në gjithë Evropën.
 

Të fundit

Ju rekomandojmë

Mundësi për punë praktike me pagesë për të diplomuarit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë – FBV

Në kuadër të “Professional Placement Program”, zyrtarisht është hapur thirrja për aplikim e grupit të dytë për ...

Prezantohet ngarkuesi i JCB, “Farm Master 435S”

Kompania “JCB Agriculture” sapo ka lansuar vesionin e ri të ngarkuesit të saj me rrita me performansë të lartë për të ...

Mbështetësit

Partnerët