Bujqit të painformuar për produktet bio

Kosova ka kushte të favorshme sa i përket kultivimit të produkteve bio. Por, bujqit nuk janë shumë të dhënë pas këtyre prodhimeve. Ata kanë përshtypjen se asgjë nuk mund të kultivohet pa përdorimin e pesticideve dhe plehrave artificialë.

Ndonëse në Kosovë ka ambient të pastër ekologjik dhe klimë të përshtatshme që mundëson edhe kultivimin e produkteve bio, bujqit nuk janë të vetëdijshëm për një gjë të tillë. Bujku 50 vjeçar, Fetah Thaçi, është i bindur se pa përdorim të pesticideve toka nuk e prodhon asnjë produkt. “Sot as misri nuk bëhet pa e plehëros me pleh artificial e lëre më prodhimet tjera. Unë kam shkuar gjithmonë nga ajo që nëse nuk e ushqen tokën me mjete kimike atëherë edhe nuk do të kesh dobi nga ajo”, thekson Thaçi.

Madje, ky bujk as që provon për të kultivuar produkte bio. “Nuk kam provuar e as që do të provoj bile, sepse e di se do të humbi nëse mbjell diçka e nuk i rrijë gati me pesticide e elemente tjera kimike që i japin tokës veti ushqyese dhe forcë për ta rritur produktin. Sepse, sot koha ashtu po e lyp, nëse do me marr diçka nga toka atëherë ushqeje me barna, edhe merr më shumë edhe produktet duken më të hijshme sesa një produkt që rritet pa asgjë dhe ai ka një pamje sikur të vyshkur”, thotë Fetah Thaçi.

Por, eksperti Musa Gashi, i tha portalit “Ferma Ime” se pavarësisht idesë së bujqve se produktet bio nuk mund të prodhohen në Kosovë, një gjë e tillë është e mundur. “Me prodhime bio ne kuptojmë atë produkt ushqimor që është i kultivuar dhe i rritur pa përdorim të pesticideve dhe gjëra të tjera. Më një fjalë është një produkt që ka vetëm përmbajtje natyrale. Kosova ka kushte shumë të përshtatshme për këtë veprimtari. Po e theksoj rajonin e Podrimës, ku kushtet janë fenomenale, sepse ambienti nuk është i ndotur dhe klima krijon situatë shumë të përshtatshme për zhvillimin e produkteve bio”, thekson ndër të tjera Gashi.

Gashi merr shembull se si kultivohet një gjedh në natyrë duke e krahasuar edhe cilësinë e mishit mes atij që rritet me koncentrate dhe atij që rritet duke kullotur në ambient. “Në pamje të parë gjedhi që është i rritur me koncentrat të duket se është më i plotë, është më i majmë dhe ka më shumë mish. Por, kur theret mishin i tij ndryshon shumë në shije me atë që është rritur në kullosa e që ndoshta edhe mish duket që ka më pak. Pra, ne duhet të vetëdijesohemi dhe të shkojmë gjithmonë kah rëndësia që kanë produkte bio, qofshin ato të mishit apo edhe pemëve e perimeve”, shton mes tjerash Gashi.

Ndërkohë Prodhimet bio të pulave, janë ofruar për herë të parë në Kosovë falë një projekti të EUred-it, i cili e ka financuar ndërtimin e fermës së pulave dhe vezëve bio në fshatin Frashër të komunës së Mitrovicës. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, vlera e projektit për ndërtimin e fermës së pulave bio arrin në 289 mijë euro dhe “EUred” e ka përkrahur me gjithsej 260 mijë euro, kurse implementimin e këtij projekti e ka bërë organizata gjermane “Diakonie”, e cila punon dhe vepron në Mitrovicë. Kjo fermë ka gjithsej 22 pula të racës franceze “maran”, ndërsa ushqimi me të cilin ushqehen ato është bio i importuar nga Austria. /FermaIme/

Ç’farë është Bujqësia Organike?

Bujqësia Organike është një metodë prodhimi e cila siguron qëndrueshmërinë e strukturës së tokës dhe prodhimtarinë e saj. Ajo mbështet standarde të larta në mirëqenien e kafshëve dhe shmang përdorimin e pesticideve sintetike, herbicideve, plehrave kimike, nxitës të rritjes si hormone dhe antibiotikë, si dhe produkte të modifikuara gjenetikisht.

Në këtë metodë prodhimi, fermerët përdorin teknikat që ruajnë ekosistemin dhe ulin ndjeshëm ndotjen. Duke pasur një shkallë të ulët mekanizimi fermat në rajonin e Shkodrës dhe Korçës mund të mos kenë fuqi të madhe prodhuese por ato kanë një element të rëndësishëm që do t’i mundësonte të prodhonin produkte organike, siç është ulja e ndotjes.

Parazitët dhe sëmundjet e ndryshme kontrollohen me mjete natyrore dhe substanca tradicionale apo moderne duke rritur në këtë mënyrë prodhimin dhe rezistencën e tij ndaj sëmundjeve. Parimet që përcaktojnë Bujqësinë Organike janë ndërkombëtare që do të thotë se njohja e tyre është e njëjtë në shumë vende të botës dhe se vlera e produkteve organike është tepër e lartë në tregjet botërore.

Në Përpunimin e Produkteve Organike, lejohet të përdoren një numër i kufizuar aditivesh dhe mjetesh ndihmëse në prodhim.
 


 

Të fundit

Ju rekomandojmë

Prezantohet ngarkuesi i JCB, “Farm Master 435S”

Kompania “JCB Agriculture” sapo ka lansuar vesionin e ri të ngarkuesit të saj me rrita me performansë të lartë për të ...

Spinaqi, ushqimi me super-fuqi shëruese

Ju tashmë e dini se spinaqiështë i mirë për shëndetin tuaj, por a e dini se sa i mirë është ai...

Mbështetësit

Partnerët