Ushqim i modifikuar gjenetikisht: A është i sigurt për ju?

Në varësi nga vendi ku jetoni, ju mund të keni pasur sot për mëngjes, për drekë a për darkë ndonjë ushqim të modifikuar gjenetikisht (GM). Ndoshta kanë qenë patate me një mekanizëm të brendshëm mbrojtës kundër insekteve ose domate që, pasi vilen, qëndrojnë pa u squllur për një kohë më të gjatë. Sidoqoftë, mund të mos ketë ndonjë etiketë që të tregojë se ushqimi ose përbërësi ushqimor është i modifikuar gjenetikisht dhe qiellza juaj mund ta ketë të vështirë që ta dallojë atë nga ushqimi natyror.

Madje, ndërkohë që lexoni këto rreshta, prodhime GM të tilla, si: sojë, misër, fara kolze dhe patate po rriten në Argjentinë, Brazil, Kanada, Kinë, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara. Sipas një raporti, «në vitin 1998, 25 për qind e misrit, 38 për qind e sojës dhe 45 për qind e pambukut të rritur në Shtetet e Bashkuara ishin të ndryshuara gjenetikisht, qoftë për t’i bërë prodhimet rezistente ndaj herbicideve, qoftë për t’i bërë që të formonin pesticidet e veta». Aty nga fundi i 1999-ës, afërsisht 40 milionë hektarë anembanë botës ishin kultivuar për qëllime tregtare me bimë GM, ndonëse jo të gjitha këto janë bimë që përdoren si ushqim.

A është i sigurt për ju ushqimi i ndryshuar gjenetikisht? A përbëjnë ndonjë kërcënim për ambientin teknikat shkencore që përdoren për të krijuar prodhime GM? Në Evropë, debati rreth ushqimeve GM po bëhet gjithnjë e më i zjarrtë. Një protestues nga Anglia tha: «E vetmja gjë që kam kundër ushqimeve të modifikuara gjenetikisht është se janë të pasigurta, të padëshiruara dhe të panevojshme.

Si ndryshohet gjenetikisht ushqimi?

Shkenca që fshihet prapa ushqimeve GM quhet bioteknologji ushqimore—përdorimi i gjenetikës moderne për të përmirësuar bimët, kafshët dhe mikroorganizmat për prodhimin e ushqimeve. Sigurisht, ideja për të eksperimentuar me qeniet e gjalla është pothuajse aq e lashtë sa vetë bujqësia. Bujku i parë që ndërzeu lopën më të mirë të tufës me demin e tij më të mirë për të përmirësuar racën, në vend që t’i linte kafshët të kryqëzoheshin kuturu, po vinte në jetë bioteknologjinë në një kuptim primitiv. Ngjashëm, bukëpjekësi i parë që përdori enzimat e majasë për ta bërë bukën të fryhej, po përdorte një gjë të gjallë për të përmirësuar prodhimin. Veçoria e përbashkët e këtyre teknikave tradicionale ishte përdorimi i proceseve natyrore për të krijuar ndryshime tek ushqimet.

Bioteknologjia moderne, po ashtu, përdor organizmat e gjallë për të krijuar produkte ose për t’i modifikuar ato. Por, ndryshe nga metodat tradicionale, bioteknologjia moderne krijon mundësi që të modifikohet drejtpërdrejt dhe me saktësi materiali gjenetik i organizmave. Ajo bën të mundur transferimin e gjeneve ndërmjet organizmave që s’kanë fare lidhje me njëri-tjetrin, duke krijuar kështu kombinime që zor se mund të arrihen me mjete tradicionale. Tani kultivuesit mund të marrin veçori të organizmave të tjerë dhe t’i vendosin në gjenomin e një bime: për shembull, qëndresën ndaj të ftohtit nga peshku, rezistencën ndaj sëmundjeve nga viruset dhe rezistencën ndaj insekteve nga bakteret e dheut.

Ta zëmë se një fermer nuk do që patatet ose mollët e tij të nxihen pasi priten ose kur janë të vrara. Studiuesit vijnë në ndihmë, duke hequr gjenin që është përgjegjës për nxirjen dhe duke e zëvendësuar me një variant të ndryshuar që bllokon nxirjen. Ose le të supozojmë që një kultivues panxhari do të donte të mbillte më herët, me qëllim që të merrte prodhime më të bollshme. Kjo është diçka që normalisht s’mund ta bëjë, sepse në mot të ftohtë panxhari do të ngrinte. Këtu futet në lojë bioteknologjia: gjene të marra nga një peshk që mbijeton me lehtësi në ujëra të ftohta transplantohen te panxhari. Rezultati është një panxhar GM që mund të durojë temperatura të ulëta deri në -6,5°Celsius, domethënë më shumë se dyfishi i temperaturës më të ulët që mund të durojë zakonisht panxhari.

Sidoqoftë, këto tipare, që janë fryt i transferimit të gjeneve të veçuara, kanë efektshmëri të kufizuar. Të ndryshosh tipare më komplekse, siç janë shkalla e rritjes ose qëndresa ndaj thatësirës, është një punë krejt tjetër. Shkenca moderne nuk është ende në gjendje të manipulojë grupe të tëra gjenesh. Në fund të fundit, shumë nga këto gjene akoma nuk janë zbuluar. 

Të fundit

Ju rekomandojmë

Mundësi për punë praktike me pagesë për të diplomuarit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë – FBV

Në kuadër të “Professional Placement Program”, zyrtarisht është hapur thirrja për aplikim e grupit të dytë për ...

Prezantohet ngarkuesi i JCB, “Farm Master 435S”

Kompania “JCB Agriculture” sapo ka lansuar vesionin e ri të ngarkuesit të saj me rrita me performansë të lartë për të ...

Mbështetësit

Partnerët